Taulant Balla: “Argita Berisha fiton sa zv.presidenti amerikan”

Vajza e Kryeministrit Sali Berisha fiton në një vit aq sa zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden. Kështu ka deklaruar dje, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili prej dy ditësh po analizon nga foltorja e partisë pasuritë e familjes kryeministrore. “Sipas asaj çka vetë zonja Argita Berisha deklaron, gjatë vitit 2011, pasuria e vajzës së Kryeministrit është shtuar me 210 milionë e 784 mijë lekë. Të kujtojmë pak se çfarë ka ndodhur me ekonominë e shqiptarëve në vitin 2011. Papunësia në vitin 2011 kapi shifrën e 1 milion të papunëve. Në vitin 2011 rritja reale ekonomike ka qenë 0%, ndërkohë zyrtarisht ka qenë rritja ekonomike më e ulët e 10 viteve të fundit. I vetmi tregues që është rritur në vitin 2011 është niveli i lartë i korrupsionit. Pra, me pak fjalë, në vitin e krizës, varfërisë, papunësisë, por edhe korrupsionit masiv, vajza e Kryeministrit të vendit, zonja Argita Berisha, ka shtuar pasurinë e saj me plot 210 milionë e 784 mijë lekë”, tha Balla. Sipas tij, rezulton se vajza e Kryeministrit të Shqipërisë paguhet njëlloj sa edhe zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden. Duke iu referuar deklaratës së pasurisë së vajzës së Kryeministrit, Balla sqaroi se, nga 17 milionë e gjysmë lekë fitime në muaj, 12 milionë vijnë nga mësimdhënia universitare. Sipas tij, zonja Argita Berisha paguhet çdo muaj aq sa paguhen 20 drejtorë shkolle së bashku.

Comments are closed.