Bashkim Kuçuku: Politika shqiptare e ka braktisur çështjen çame

Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe Instituti i Librit dhe Promocionit “Toena” kanë organizuar dje promovimin e librit “Kombi gjen vetveten; Çamëria dhe Kosova”. Ky botim i studiuesit Bashkim Kuçuku është një analizë e fortë mbi çështjen kombëtare e veçanërisht atë çame

Oliverta Lila

“Kombi gjen vetveten; Çamëria dhe Kosova” është libri më i fundit i studiuesit dhe pedagogut Bashkim Kuçuku. Një botim voluminoz me më shumë se 650 faqe, në të cilat Kuçuku bën një analizë të ftohtë të çështjes kombëtare dhe asaj çame në veçanti. Libri, botuar nga “Toena” me mbështetjen e Institutit të Studimeve për Çamërinë, përfshin intervista të realizuara që prej vitit 1991 me personazhe të njohura të mendimit dhe politikës shqiptare, si: Ibrahim Rugova, Sali Berisha, Ismail Kadare, Fatos Nano, Sabri Godo, Abdi Baleta, Ali Aliu, por edhe me dokumente, një pjesë të panjohura marrë nga Arkivi i Shtetit, dokumente të Kryeministrisë, të Ministrisë së Jashtme në Tiranë, në OKB, në KSE etj. Vetë autori, më interesante quan ato dokumente që na zbulojnë qëndrimet e pas viteve ’90 për çështjen çame. “Unë punoja në gazetën ‘Çamëria’ dhe në atë kohë, bashkë me gazetarë që më kanë ndihmuar, kemi gjetur dokumente se si ambasadori amerikan Rajerson e ka shtruar çështjen çame para ambasadorit grek, protestat e qeverisë greke, si është ngritur problemi çam në KSE në Moskë më 1991, replikat në OKB, dokumente nga Departamenti i Shtetit Amerikan, të cilat krijojnë një kronologji të qartë si e ka pritur diplomacia botërore”, thotë Kuçuku. Në promovimin e bërë dje në Muzeun Historik Kombëtar, ku të pranishëm ishin studiues, historianë e akademikë, ky botim u vlerësua si një thirrje për rizgjimin e vetëdijes kombëtare. Në intervistën e mëposhtme, Bashkim Kuçuku na shpjegon edhe më tej synimin e këtij botimi.

Zoti Kuçuku, ky libër është rezultat i një pune më se 20-vjeçare. Në çfarë këndvështrimi vjen çështja çame, por edhe ajo kombëtare?

Ky botim është një përpjekje për të parë çështjen kombëtare shqiptare në tërësi, duke nisur nga problemi më i vështirë dhe i ndërlikuar, problemi i Çamërisë. Deri në fillim të viteve ’90, kaloi gati gjysmëshekulli gjatë të cilit nuk flitej fare për Çamërinë. Ky problem u rimor, u ringjall pas shumë përpjekjeve të bashkësisë çame për ta rindërtuar vizionin e Çamërisë para vetes, para gjithë shqiptarëve, por edhe në sytë e diplomacisë ndërkombëtare. Shkrimet që unë kam përfshirë në këtë libër, ndërtojnë historinë dhe evolucionin e problemit të Çamërisë qoftë në botën shqiptare, qoftë në forumet ndërkombëtare ku ka pasur mundësi të trajtohet, me pranimet, por edhe me denigrimet që i janë bërë veçanërisht nga qarqet politike greke. Kjo klasë politike jo vetëm që nuk e ka pranuar ekzistencën e problemit çam, por është përpjekur t’i nxjerrë fajtor çamët, të cilët janë viktimë gati 80-vjeçare e gjenocidit që iu bë.

Ju folët për një heshtje gjysmëshekullore të politikës para viteve ’90 për çështjen çame. Po nëse flasim për qëndrimet e këtyre 20 viteve të fundit?

Çamët, edhe pse janë prej tri brezash të vendosur në Shqipëri dhe jetojnë mirë e kanë qëllim jetik kthimin në Çamëri dhe kjo është një e drejtë e kuptueshme. Çamëria është ngritur si një vizion real në të gjithë botën shqiptare. Problemi qëndron në klasën politike në Shqipëri që ka qëndrime të lëkundura. Desha të kujtoj se që nga viti 1947, kur u shpërbë Komiteti Antifashist Çam, nuk është folur jo vetëm zyrtarisht, por edhe të bisedoje në ambiente të ngushta mund të akuzoheshe për propagandë antikushtetuese. Nga viti 1991 deri në ’94-’95 qeveritë shqiptare e ngritën problemin çam edhe në forumet ndërkombëtare. Ka qenë Kryeministër Aleksandër Meksi, i cili në vitin 1992 gjatë takimit me Kryeministrin grek Kostandin Micotaqis, shtroi çështjen e problemit çam. Atëherë pala greke e konsideroi një skandal diplomatik, duke i akuzuar çamët edhe si bashkëpunëtorë të nazizmit. Kjo frymë vazhdoi deri në vitin 1995 dhe më pas politika shqiptare hesht, i bën bisht problemit dhe është përpjekur ta fusë në kanalin e Traktatit të Miqësisë Shqiptaro-Greke, ku problemi çam trajtohet si problem pronash, një pikëpamje e papranueshme. Sot nëpër tribuna hedhin fishekzjarrë që janë të gabuar dhe të dëmshëm, sepse çështja e Çamërisë zgjidhet jo në tribuna fjalimesh, por me bashkëbisedime me qeveritarët grekë dhe diplomacinë botërore. Prej vitit ‘95 kjo çështje është e braktisur nga politika shqiptare, ndërsa në 2004 u shënua një tjetër moment negativ. Në Parlament u përgatit rezoluta çame, ku të dyja palët, si grupi i deputetëve socialist dhe demokratë e kishin firmosur, por atë ditë që duhej të miratohej u hoq nga programi dhe nuk është miratuar as sot e kësaj dite.

Ju keni përfshirë në libër një sërë politikanësh që kanë folur për çështjen çame. Si ka ndryshuar mendimi i tyre në 20 vjet?

Intervistat që nga Ibrahim Rugova, Sali Berisha, Sabri Godi, Abdi Baleta etj., janë realizuar që në vitin 1991. Aty krijohet vetë kontrasti se çfarë kanë thënë 20 vjet më parë dhe qëndrimi që mban politika e sotme, ku në krye janë po ata. Me përjashtim të Sabri Godos apo Abdi Baletës, premtimet që u dhanë në vitin 1991 u çuan deri më 1995-n dhe më pas u hesht. Që nga Sali Berisha e Fatos Nano, të gjithë premtuan për çështjen çame, por nuk i mbajtën ato.

Kjo vjen si pasojë e një “kapjeje” nga pala greke?

Unë do ta quaja më mirë një trysni të madhe politike, ekonomike, çështje pushteti. Kjo është shumë e lexueshme dhe politikanët, të paaftë apo të pavullnet për ta kundërshtuar, në rastin më të mirë janë nën presionin e kësaj trysnie. Në politikë janë të njohura rrethana të tilla ku edhe nënshtrohesh, por nëse klasa jonë politike nuk del asnjëherë nga kjo trysni, atëherë është fatkeqësi.

 

 

Pëllumb Xhufi

Historian

“Ky libër përfaqëson një ngjarje të rëndësishme shkencore, kulturore dhe madje politike, duke trajtuar çështje serioze dhe therëse si çështja kombëtare. Në themel çështja çame shihet këtu si çështje kombëtare dhe jo si problem i veçuar, siç kemi dëgjuar ndonjëherë të trajtohet. Bashkim Kuçuku e sheh këtë bashkë me çështjen e Kosovës dhe mbarëvajtjen e shtetit tonë që duhet të jetë strumbullar i çështjes sonë kombëtare. Me një qasje të balancuar, Kuçuku sjell kontributin e atyre që arritën ta shtrojnë çështjen çame, siç ishte ish-presidenti Alia, por edhe të godasë pavendosmërinë e disa politikanëve të tjerë, e cila u përkthye në heshtje dhe herë të tjera në qëndrime antikombëtare, duke arritur deri aty sa të thonë se problemi çam nuk ekziston, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikën e qeverisë greke. Fillimi i injorimit të çështjes çame nis që me “kapjen” e Kishës Ortodokse Autoqefale. Që në atë kohë, Avramopulos bënte presion, duke thënë se kisha ortodokse nuk prekej, që gjuha do të ishte greke dhe nëse qeveria do të vinte dorë, do të përballej me sanksione ndërkombëtare. Në një farë mënyre ia doli kur në vitin 1993, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë me të gjitha shqetësimet që shtronte pala greke, ku thuhej se mund të kishte pasoja negative për 300 mijë shqiptarë që punonin atje, shifër që ofrohej nga propaganda greke, sepse nuk ishte e tillë. Politika greke shkoi deri aty sa kapi edhe politikanë të veçantë shqiptarë. Klasa politike shqiptare, me paaftësinë dhe inkoherencën e saj, ka përgjegjësi të madhe përballë problemit kombëtar. Çështja çame është ndërgjegjja e pistë e politikës shqiptare. Është për t’u përgëzuar që komuniteti çam ka mundur të qëndrojë i bashkuar dhe të thotë me forcë fjalën e tij”.

 

Enver Kushi

Studiues

“Libri është nga më seriozët për Çamërinë, produkt i një pune 20-vjeçare. Viti 1991 ishte viti i rigjallërimit dhe rizgjimit të çështjes çame dhe Bashkim Kuçuku është një prej atyre idealistëve që ka kontribuar shumë që në lindjen e shoqatës ‘Çamëria’. Në këtë libër shohim Çamërinë me historinë, kulturën, dramën e saj, në një analizë gjakftohtë. Ky botim i kushtohet kombit, vetëdijes kombëtare si pjesë e ekzistencës bashkëkohore e kombit. Mbeten ende çështje shumë të forta miratimi i marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë, regjistrimi i popullsisë dhe marrëveshja detare me Greqinë. Ky botim të bën të besosh në brezin e idealistëve dhe atyre që iu dhemb Çamëria e që nuk bëjnë kompromis me çështjen çame”.

 

 

Abdi Baleta 

Ish-diplomat

“Bashkim Kuçuku na ka dhënë përmes këtij botimi kronologjinë, esencën e publicistikës dhe politikës për çështjen çame gjatë këtyre 22 viteve të fundit. Ai nuk ngurron të kritikojë si njërin dhe tjetrin për gabimet që kanë bërë në politikën tonë në të shkuarën, por edhe gjatë këtyre 22 viteve, të cilët çështjen çame e kanë trajtuar me zë të mbytur ose kanë zgjedhur variantin më të keq, duke e trajtuar si çështje pronash. Pati edhe nga ata që u bënë thirrje që të shisnin hipotekat, por unë ju bëj thirrje të mos e bëni. Ajo tokë është së pari tokë e çamëve, por është mbi të gjitha një pasuri kombëtare. Çështja çame është pjesë e çështjes kombëtare dhe politika shqiptare e ka detyrim historik ta trajtojë.”

3 Comments
  1. Kerpaci says

    Fat i madh qe me se fundi ceshtja came e gjeti vetveten, por le te presim pak per te pare do e gjej dot Camerine apo jo me kete rruge skamdaloze qe po perdor.

  2. nibiru77 says

    ne te vertete nuk ka ceshtje came,kjo ekziston vetem ne disa mendje te semura.

  3. sokpol kucuku says

    duhet tepunohet me shume duke kordinuar sgjuarsine me aksione politike ne unison si shoqata cameria ashtu dhepartia pdiu moment ifavorshem jane zgedhjet ku duhet te bejme kthesen e shume priturqe votat tona tja japim partise pdiu qe po iperkushtohetproblemit realisht me pasterti zemer.ju uroj suksese ne realizimin e misionit tuaj.

Comments are closed.