Flamurtari ia beson stolin trajnerit të ri, Ernest Gjoka

Tekniku: Të dalim sa më shpejt nga kjo situatë jopozitive

Altin Manallari

Do të jetë Ernest Gjoka trajneri i ri i Flamurtarit. Drejtuesit vlonjatë nuk kanë vonuar shumë dhe më në fund e kanë gjetur njeriun tek i cili shikojnë largimin e skuadrës nga kriza e rezultateve që e ka pllakosur në këtë gjysmë të parë të sezonit. Tekniku kryeqytetas, i cili në karrierën e tij si profesionist ka drejtuar Apoloninë, Kamzën dhe Tomorin, do të ulet kështu në stolin e lënë bosh pas shkarkimit të spanjollit Hulian Rubio Sançez. Gjithçka është zyrtarizuar pas takimit që është zhvilluar mesditën e së mërkurës në Bashkinë e Vlorës, mes kryebashkiakut Shpëtim Gjika dhe vetë trajnerit Gjoka. Menjëherë pas këtij takimi ka qenë vetë tekniku ai që ka konfirmuar emërimin në krye të kuqezinjve të kampionatit shqiptar. “Po, mund të më quani trajner të Flamurtarit, deklaroi Gjoka. Tani sapo mbarova takimin me kryebashkiakun Shpëtim Gjika, me të cilin biseduam gjatë. Parashtrova projektin tim për drejtimin e skuadrës vlonjate, folëm mbi objektivat që mund t’i realizojë ende Flamurtari në këtë sezon, por edhe shumë gjëra të tjera. Në fund ramë dakord për rrugën që duhet të ndjekim dhe ku duhet të mbërrijmë bashkërisht. Natyrisht, beteja jonë është të dalim sa më shpejt nga situata jo fort pozitive, në mënyrë që të mos humbasim më kohë për të qenë pjesëmarrës në Kupat e Europës në fund të sezonit futbollistik”, përfundoi trajneri i ri i Flamurtarit. Në këtë sezon, Ernest Gjoka mori përsipër drejtimin e Apolonisë në fillim të këtij sezoni, por më pas u largua nga stoli fierak në fund të muajit tetor. Ai është trajneri i tretë që ulet në stolin e kuqezinjve për këtë sezon, teksa Shkëlqim Muça u shkarkua pas javës së parë, kur barazoi në Berat me Bylisin 1-1. Për këtë post u lakuan disa emra, mes të cilëve ai i Gugash Maganit dhe i Hasan Likës, por tekniku që e ka nisur karrierën si trajner tek ekipet e të rinjve të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” ka triumfuar. Gjoka mësohet se ka nënshkruar një kontratë 6-mujore (deri në fund të sezonit aktual) me opsion rinovimi për një vit, në rast se do të përmbushë objektivat e vëna së fundmi nga skuadra, vendi i dytë Superiore dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë. Për momentin, pas mbarimit të fazës së parë të kampionatit, Flamurtari pozicionohet në vendin e 7 të Superiores, me 19 pikë, shumë larg pritshmërive të klubit vlonjat dhe drejtuesve të tij. Megjithatë, duke ditur se mbetet edhe një fazë kampionati për t’u zhvilluar, gjithçka mund të ndodhë, me kushtin që ecuria dhe paraqitja e skuadrës vlonjate të jetë krejt ndryshe nga deri më tani. Debutimi i Ernest Gjokës në stolin e Flamurtarit do të bëhet këtë fundjavë në Durrës, në çerekfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë, ndaj Teutës vendase, dy skuadrave të Grupit B, të cilat i kanë humbur respektivisht ndaj Bylisit në Vlorë dhe kurbinasve në Laç. Parashikohet një përballje delikate, ku skuadra që humbet, do të duhet t’i thotë lamtumirë Kupës së Shqipërisë.

 

 

Detaje

Karriera – Karrierën e ka nisur tek ekipet e të rinjve të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”, ndërsa më pas ka drejtuar Apoloninë, Tomorin dhe Kamzën

Kontrata – Gjoka mësohet se ka nënshkruar një kontratë 6-mujore (deri në fund të sezonit aktual) me opsion rinovimi për një vit, në rast se do të përmbushë objektivat

Objektivat – Vetëm pak ditë më parë, drejtuesit e Flamurtarit ridimensionuan objektivat sezonalë, që tashmë janë vendi i dytë në Superiore dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë

Comments are closed.