Historia 100-vjeçare, si erdhi himni në Shqipëri

“100 vjet me himnin e flamurit”, i regjisorit Petrit Ruka dhe producentit Piro Milkani, shfaqur dje premierë në Festivalin e Filmit. Realizuar me mbështetjen e QKK-së dhe “DigitAlb”, Ruka thekson se kjo është historia e plotë e himnit, pas 100 vjetësh

“Është viti 1908. Dy djem të rinj, një gegë e një toskë ecin në peizazhe të ndryshme, duke kënduar. Po sjellin në Atdhe një këngë që do të bëhej shpirti i kombit që po lindte, Himnin Kombëtar të Shqipërisë. Ecin ditë e natë dhe përsërisnin këngën e madhe që të mos e harronin… Po binin pasurinë më të madhe që kish hyrë ndonjëherë në trojet arbërore, frymën e Shqipërisë së ardhshme”. Ky është vetëm fillimi i dokumentarit “100 vjet me himnin e flamurit”, i regjisorit Petrit Ruka dhe producentit Piro Milkani, shfaqur dje premierë në Festivalin e Filmit. Realizuar me mbështetjen e QKK-së dhe “DigitAlb”, Ruka thekson se kjo është historia e plotë e himnit, pas 100 vjetësh. Si lindi ky himn, si e këndonin shqiptarët e Bukureshtit këngën patriotike me muzikë të Ciprian Porumbeskut, pse lindi dëshira për ta përkthyer, kërkesa drejtuar Asdrenit për ta shkruar, udhëtimi drejt Shqipërisë, interpretimi në 1912 në Vlorë, regjistrimi në pllaka gramafoni nga Spiridon Ilo deri në përpjekjet e vazhdueshme për ta ndryshuar këtë himn. “Projekti ka lindur në vitin 2003 për herë të parë si ide, por skenari pati pak a shumë fatin e himnit, ai u rrëzua dy herë. Është një punë e mundimshme, një histori 100-vjeçare dhe me qindra ngjarje dhe mua më është dashur të përzgjedh. U kërkoj ndjesë studiuesve që mund të kenë hatërmbetje se disa ngjarje kanë mbetur jashtë, por besoj se historia vjen për herë të parë e plotë”, thekson Ruka. Sipas tij, shesh-xhirimi ka marrë një shtrirje të gjerë, në Boston, Nju Jork, Uashington, Bukuresht, Gjirokastër, Tepelenë, etj. Në fakt është një doku-fiction, pasi kemi përfshirë edhe aktorët Lulzim Zeqa, Albano Bogdo, Uarda Sala, për të mos rrezikuar të biem në gracën e ritmit të mërzitshëm. Është një punë e madhe dhe falë ndihmës që ka dhënë ‘Top Channel’ dhe ‘DigitAlb’, kemi historinë e plotë të himnit kombëtar”, thekson Ruka. Gjatë dokumentarit, ai i referohet në mënyrë të veçantë dëshmisë së parë të shkruar, atë të Lasgush Poradecit, i cili ka qenë në Bukuresht si sekretar i “Shoqërisë së Bukureshtit”, jo më shumë se 9-10 vjet pas himnit dhe kujtesa ishte e freskët nga ata që e kënduan. Poradeci e rishkroi më 1943 në 10 numra dhe është Mitrush Kuteli që i përforcon më vonë këto fakte. Ruka e mbyll dokumentarin duke bërë një kronologji të përpjekjeve për ta ndryshuar himnin që nga e para, që i takon vitit 1923, kur pas vdekjes së Ismail Qemalit dhe themelimit të Qeverisë së Lushnjës, për të vazhduar në 25-vjetorin e pavarësisë, kur qeveria e mbretit Zog, vendosi të shpallte një konkurs të madh për himnin e flamurit, duke vënë në dispozicion 5000 franga ari për muzikën dhe 3000 për tekstin. U ngrit një komision serioz me Gjergj Fishtën, Mehdi Frashërin, Lasgush Poradecin e të tjerë të mendimit shqiptar. Për ironi konkursin e fitoi një kompozitor italian, por as ky version nuk u dekretua. Më 1946-n, me rastin e shpalljes së Republikës, qeveria e re komuniste bëri gati një himn tjetër. U kompozua një këngë me muzikë të Kristaq Konos, me tekst të Skënder Luarasit. As këtë radhë nuk mundi të ndryshonte. Më 1976-n u mor seriozisht çështja e himnit. U ngrit një komision prej 100 njerëzish me Mehmet Shehun në krye dhe u shpall një konkurs, ku fitoi një kompozim i Nikolla Zoraqit me tekst të Fatos Arapit, “E re u ngrit kjo toka jonë”. “Në momentin e fundit pati një tërheqje pa bujë nga Enver Hoxha. Himni që kemi sot, thekson Ruka, është pasuria më e madhe”.




Comments are closed.