Berisha: Kush ndihet bullgar, është i tillë

Kryeministri bullgar ngre problemin e “minoritetit etnik” në Shqipëri

Fatjona Mejdini

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Tiranë, ku së bashku me Kryeministrin Berisha u nënshkruan tri marrëveshje bashkëpunimi, që lidhen me ekonominë, arsimin dhe ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim në të dyja vendet. Por në bisedën “kokë më kokë” mes dy kryeministrave, u diskutuan edhe çështje të mprehta mes dy vendeve, siç është ajo e të ashtuquajturit “minoritet bullgar” në Shqipëri dhe problemet që ata mund të kenë me vetëdeklarimin si pjesë e këtij komuniteti. Në lidhje me këtë çështje, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi se në Shqipëri jo vetëm përfaqësuesit e minoritetit bullgar, por edhe ata të minoriteteve të tjera janë të lirë të deklarojnë atë çfarë ndiejnë, kujt etnie i përkasin apo dhe dëshirojnë. Po kështu, dy kryeministrat diskutuan edhe për çështje të tregtisë mes vendeve, ku në mënyrë të hapur kreu i qeverisë bullgar kërkoi që i gjithë bitumi që prodhohej në vend të eksportohej në Bullgari. Po kështu, dy kryeministrat folën edhe për projekte të përbashkëta në infrastrukturë dhe në energji. Një temë e veçantë gjatë diskutimeve dhe konferencës për shtyp ishte edhe integrimi, ku Kryeministri Borissov shprehu mbështetjen e Bullgarisë për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë.

Minoriteti

Një çështje që është diskutuar mes palëve është edhe ajo e minoritetit bullgar në Shqipëri. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, nuk ngurroi të premtonte që të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët ishin apo ndiheshin se i përkisnin këtij minoriteti, mund të deklaroheshin bullgarë pa asnjë problem. “Unë mund t’ju garantoj se i përmbahem parimit se, në këtë vend, çdo qytetar i tij, të deklarojë lirshëm përkatësinë etnike që i përket dhe që e ndien vetë. Nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë asnjë lloj kufizimi për qytetarët e këtij vendi, që të deklarojnë përkatësinë etnike që ndiejnë dhe dëshirojnë”, theksoi Berisha, duke e vendosur theksin te nevoja për të pasur të gjithë përkatësinë europiane. Bullgaria cilëson minoritet jo vetëm banorët e zonës së Gollobordës në Dibër dhe krahinës së Shishtavecit në Kukës të quajturit goranë, por edhe synon të marrë “protektoratin” e banorëve të Prespës, të cilët Shkupi zyrtar i cilëson si maqedonas. Një betejë e nisur prej vitesh mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku Sofja subvencionon shkollimin e një numri të madh studentësh “minoritarë” dhe Tirana zyrtare bën sehir.

Bitumi

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov, kërkoi dje që i gjithë bitumi që dilte nga minierat shqiptare të shkonte në Bullgari.

“Unë kam një kërkesë për palën shqiptare; në qoftë se ka mundësi, Shqipëria të eksportojë bitum, një çështje kjo për të cilën u diskutua edhe gjatë bisedimeve midis dy delegacioneve. Ka rrugë në Bullgari që janë ndërtuar para shumë vitesh dhe janë aq të qëndrueshme dhe aq të mira, në sajë të bitumit të mirë shqiptar. Jemi të gatshëm të marrim tërë sasinë që disponon vendi juaj”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare. Kjo kërkesë u prit me dashamirësi nga Kryeministri Berisha, i cili theksoi se bitumi shqiptar mjafton për të shtuar rrugët e gjithë Europës.

 

Berisha – “Unë mund t’ju garantoj se i përmbahem parimit se, në këtë vend, çdo qytetar i tij të deklarojë lirshëm përkatësinë etnike që i përket dhe që e ndien vetë. Nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë asnjë lloj kufizimi për qytetarët e këtij vendi”

Infrastruktura – Dy kryeministrat folën dje për mundësinë e ndërtimit të Korridorit VIII për të lidhur më mirë infrastrukturën rrugore mes dy vendeve. Po kështu u fol për ndërtimin e një linje hekurudhore Tiranë-Sofje.

Forumi – Dy kryeministrat morën pjesë dje në një forum ekonomik të mbajtur në Tiranë, ku merrnin pjesë investitorë bullgarë që veprojnë ose aspirojnë të jenë pjesë e biznesit në Shqipëri.

 

 

 

Fluturimi

Borissov vjen në Tiranë me avion ushtarak

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, dhe delegacioni i gjerë që e shoqëron në vizitën e tij dyditore në Tiranë kanë udhëtuar në Shqipëri me një avion ushtarak. Agjencia bullgare e lajmeve “Novinite”, njofton se kjo zgjedhje ka ardhur për shkak të nevojës për të kursyer fonde. “Delegacioni është transportuar nga dy avionë ushtarakë ‘Spartan’. Ky udhëtim i pazakontë u bë për të kursyer fonde, duke mos e kthyer avionin qeveritar ‘Airbus’ nga Izraeli, ku ka transportuar Presidentin Rosen Plevneliev”, thekson agjencia bullgare. Delegacioni shqiptar që ka ardhur në Shqipëri, përveç Kryeministrit të këtij vendi, përbëhet nga ministrja e Zhvillimit Rajonal, Liljana Pavlova, ministri i Kulturës, Vezhdi Rashidov, ai i Ekonomisë, Delian Dobrev dhe kryebashkiakja e Sofjes, Jordanka Fandakova. Sot delegacioni bullgar do të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës për nder të të rënëve në monumentin “Nënë Shqipëri” dhe më pas do të zhvillojë një takim me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha.

2 Comments
  1. TRIS says

    Germo Tare , germo …

  2. atila says

    Me duket pa kuptim pasazhi “ATA QE NDIHEN DHE DESHIROJNE” te zgjedhin etnine qe i peerkasin?! I perkt nje minoriteti ose etnie ai qe eshte pjestar i tij dhe qe qe e veteton perkatesine e tij. Perndryshe nese nje zone do te deshironte te ndjehej Amerikane e nje zone Japoneze c’fare do ndodhte ? Mesa kam lexuar Goranet dhe Gollobordasit si edhe nje pjese thone se jane shqiptare e nje pjese po perpunohen nga sllavet e ballkanit me para e pasaporta. Gjithashtu ne baze te studimeve nga historiane te ndryshem popullesi te tera shqiptaresh katolike ose orthodhokse jane asimiluar nga pushtuesit sllave gje qe vertetohet edhe nga onomastika dhe nga mbiemrat perkates te shoqeruar nga prapashtesat vic dhe ovski etj. Prandaj ju bej thirrje shqiptareve te Gores dhe Gollobordes te mos genjehen nga politikat shoviniste te fqinjeve.

Comments are closed.