“Rroftë Nexhmija, poshtë Kadare!”

Ilir Yzeiri – Ka disa kohë që mediat e Tiranës kanë vënë në shënjestër marrëdhënien e Kadaresë me Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit më gjakatar të Europës Lindore. E harruar diku në periferi të Tiranës, befas, e veja e diktatorit është bërë një star i medias dhe që andej nga periferia e ish-pularisë shtetërore i dërgon një gazete në Tiranë korrespondencën me shkrimtarin Kadare. Gjithë kjo telenovelë nisi muaj më parë, përkatësisht atëherë kur shkrimtari ynë më i madh dhe shqiptari më i shquar i fushës së letrave dhe kulturës në përgjithësi, hodhi në gjyq të venë e diktatorit më të egër të Europës, N. Hoxhën dhe i kërkonte asaj që t’i kthente dorëshkrimin e romanit “Dimri i madh”. Kaq u desh dhe media provinciale e lloj-lloj gazetarësh mediokër nisën të thurin telenovelën e pështirë të verës. Befas, Nexhmije Hoxha nuk ishte më e veja e diktatorit më të egër të Europës, por u bë thjesht Nexhmije Hoxha, ndërsa Kadare nuk ishte më një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës dhe shqiptari më i shquar i të gjitha kohërave, por një i akuzuar se kishte flirtuar me diktaturën, një i akuzuar se kishte bashkëpunuar me të. Pasi e vendosën në këtë qoshe të vetëdijes së tyre të shpëlarë, u sulën mbi të lloj-lloj mediokrish, duke sjellë dëshmi se Kadare është mbrojtur në atë kohë nga Enver Hoxha, se të tjerë persekutoheshin duke u transferuar nga Tirana. “O tempora, o more” do të thoshte latini. Në fakt, armiqtë më të mëdhenj të Kadaresë si dje ashtu edhe sot kanë qenë dhe janë mediokrit, skribët, njerëzit që, pasi janë goditur në kokë nga harmonia e germave dhe shkronjëzimit, si dhe pasi kanë provuar shijen e leximit, janë hedhur mbi letra të bardha e kanë nisur të shkruajnë duke nxjerrë nga trutë e sëmurë dhe mendja e tharë lloj—lloj paçavuresh që ata pretendonin se ishin vepra letrare. Kjo skotë e pështirë përbënte shumicën në diktaturë dhe armata e poetëve apo shkrimtarëve të tillë ishte aq e madhe sa kur e kujton sot, të merr të qarët. Ndërkaq, vetë Kadare ka thënë diku se mediokrit janë një pasuri e madhe se pa ta, do të ishte e pamundur të bëhej diferenca e artit të madh, pra, pa ekzistencën e tyre, do të ishte e pamundur që të shijoheshin veprat e vërteta artistike. Ndërkaq, shkrimtari i madh ishte për ta Djalli dhe Qoftë largu, ishte përbindëshi që duhej sulmuar e shkatërruar. Ismail Kadare në fakt ishte një përbindësh për nga talenti dhe gjenia e tij. Aq përbindësh ishte sa, megjithëse jetoi në një nga diktaturat më të egra arriti jo vetëm të mbijetojë, por edhe ta sfidojë atë. Diktatura më e egër kishte frikë nga ai. Kishte frikë, sepse magjia që ai prodhonte shoqërohej gati edhe me një besëtytni, se po të prekej ai, ndoshta edhe vetë diktatura mund të shkërmoqej. Pikërisht në diktaturë ai krijoi korpusin e veprave që sot janë pasuri e njerëzimit. Mirëpo sot gjërat kanë ndryshuar dhe për ironi të fatit, mediokrit dhe skribët janë bërë zotër të mediatizimit publik dhe e veja e diktatorit më të egër të Europës është ende gjallë dhe të dyja palët bashkë janë më të lirë që të gjuajnë me gurë mbi shtatoren e shkrimtarit të madh. E veja e diktatorit më të egër të Europës kërkon të ndotë anën njerëzore të shkrimtarit të madh dhe nxjerr nga sirtarët e ndryshkur të memories dhe të arkivit letra që Kadare i ka shkruar asaj që të na bëjë të besojmë se midis diktaturës dhe Kadaresë ka pasur gjithnjë një mirëkuptim, madje edhe dashuri. Ndërkaq po të vëresh veprën e Kadaresë do të shohësh se është krejtësisht e kundërta. Deri edhe Arshi Pipa pat shkruar se në romanin “Kronikë në gur”, pederasti që bredh rrugëve të Gjirokastrës me flokët e lyer me brilantinë është Enver Hoxha. Natyrisht kjo nuk është e vërtetë, por një gjë tjetër është krejtësisht e vërtetë. Si mund të flirtonte Kadare me diktaturën dhe të shkruante fjala vjen vetëm një libër si “Kronikë në gur”? Me këtë vepër ai jo vetëm shkërmoqte dogmën e realizmit socialist, por, për nga natyralizmi e cenet njerëzore, kjo vepër ia kalonte edhe kryeveprave të letërsisë absurde dhe atyre deheroike. Ndërkaq, e veja e diktatorit më gjakatar të Europës Lindore vijon të shfaqet si një star kinemaje dhe pushton faqet e gazetave me telenovelën e pështirë të flirtit të saj me Kadarenë. Ndërkaq, pikërisht këto kohë, në një të përditshme tjetër të Tiranës, botoi kujtimet e tij ish-sekretari i Enver Hoxhës Vaid Lama. Ishte një tekst tronditës. Aty kuptoje edhe një herë se Enver Hoxha ishte një kriminel në shpirt, një egocentrist i pështirë, një paranojak që nuk i donte njerëzit. Po nga këto rrëfime marrim vesh se njeriu që mbante çelësat e sekreteve të Enver Hoxhës ishte Nexhmija. Vetëm ajo mund të kontrollonte e të ruante planet makabre, “orientimet” e diktatorit më të egër të Europës. Dëshmitari i vetëm i mbetur gjallë, që tregon se si reagoi Enver Hoxha pas botimit të poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” është ish-sekretari i tij, Vaid Lama. Ai kujton se: Në vitin 1975 Shtëpia Botuese i kishte dërguar Ramiz Alisë, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, që mbulonte ideologjinë dhe kulturën, një poemë të shkrimtarit Ismail Kadare. Atij i kërkohej mendim nëse mund të botohej ai krijim, që “mbante erë baruti”. Poemës, më pas, si pa dashur, iu ngjit nofka “Pashallarët e Kuq”, megjithëse nuk ishte ky titulli i saj. Shkrimtari shkruante me urrejtje të madhe kundër burokratizmit dhe burokratëve kriminelë me duar të përgjakura”.

Ramiz Alia për të mos mbajtur vetë përgjegjësinë për sa i kërkohej, sikurse e kishte zakon, ia kishte dhënë atë zotit Hoxha për ta lexuar.

Në momentin kur sapo e kishte lexuar poemën, unë u futa në zyrën e Hoxhës dhe vura re, se ai nuk po përqendrohej dot për të më dëgjuar lidhur me çështjen për të cilën shkova te ai. Ishte tejet i zemëruar. Zakonisht, kur futeshim në zyrën e tij pa na thirrur ai, na dëgjonte e pastaj mund të na jepte ndonjë porosi edhe tej atyre që kishim biseduar. Kësaj here, pa mundur të më dëgjonte përse i kisha vajtur në zyrë, më ndërpreu fjalën: – Merri këto shënime dhe jepja Nexhmijes për t’i sistemuar diku në arkiv. Janë disa gjykime të miat për Ismail Kadarenë, që u dashka ta mbash nga xhaketa për të mos u gremisur në ato humnerat e fantazisë së tij të sëmurë. Ai shkruan për “Pashallarë të Kuq”, po cilët qenkan këta? Anëtarët e Byrosë Politike?! Sigurisht ai kështu mendon. Por ajo mendja e tij, e pleksur me kozmopolitizëm, më pas do t’i pjellë që të shkruajë edhe për “Sulltanin e Kuq”! Hajde shkrimtar, hajde! Ai është një armik i rrezikshëm i partisë. E kemi përkëdhelur shumë, por tani me këto “Pashallarët e Kuq” durimi ynë është sosur, ai do të japë llogari. Poema e tij është akuzë e rëndë për udhëheqjen e partisë, ajo është një trakt i zi, që bën thirrje për kryengritje, është një vepër makabre.

Çuditem edhe me Ramizin si i kalon kaq lehtë këto gjëra dhe m’i sjell mua në tryezë. Ç’kërkon ai, që unë të aprovoj botimin e “Pashallarëve të Kuq”?! Apo të urdhëroj ndëshkimin e Kadaresë? Tani ai nuk shprehet as për njërën, as për tjetrën, por kur ta thërras unë dhe t’i shfaq mosaprovimin kategorik për botimin, ai, si ngaherë, do të thotë: – Dakord, shoku Enver, kështu mendova dhe unë, prandaj ua solla Juve!-.

Po fliste tepër i nervozuar. Ishte nxirë në fytyrë. Rrallë herë më kishte takuar ta shikoja në atë gjendje aq të shqetësuar. Më tepër më çuditi fakti që ai, në bisedë me mua, po akuzonte keq një anëtar të Byrosë, gjë që nuk e kishte bërë zakon asnjëherë më parë.

Nuk dyshova që Ramizin mund ta gjente ndonjë e keqe, pasi ai, nëpërmjet përkrahjes së vazhdueshme të zonjës Hoxha, ishte mësuar t’i kapërcente hendeqet gjatë rrugës dhe të hidhte të tjerët brenda. Më erdhi keq për shkrimtarin me zë, që kësaj here kujtova se me të vërtetë do ta pësonte. Lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh, se atij i ishte përgatitur akuza. Madje kishte edhe nga ata që hamendësonin se Prokurorit të Përgjithshëm i paskësh vajtur porosia për lëshimin e urdhrit të arrestit, etj.

Për fat të mirë, koha tregoi që Enveri ishte tërhequr më pas nga mendimi ogurzi. Përse u tërhoq Enveri? Kush e mbrojti Kadarenë nga arrestimi? Disa thoshin e mbrojti Nexhmija, ca të tjerë Ramizi. Në të vërtetë, jam i bindur, që nuk e ka mbrojtur asnjëri prej tyre, sepse këta shtireshin sikur e donin, por e urrenin. Shkrimtarin e mbrojti talenti dhe emri i tij i njohur jo vetëm brenda Shqipërisë. Nuk guxuan ta burgosnin, se do të ndesheshin me mosaprovimin e opinionit shoqëror. Asnjeri, as brenda as jashtë Shqipërisë, nuk do ta miratonte arrestimin e tij në një kohë kur ishin pushkatuar e burgosur shumë intelektualë.

Në qoftë se për persekutimin e të tjerëve diktatura nuk e kishte përfillur opinionin, ndryshe ishte puna tani për mjeshtrin e letrave. Kishin ardhur kohë të tilla kur në kupolën komuniste po dukeshin të krisura të thella dhe regjimi tiranik ishte i pafuqishëm për të përbaltur personalitetin e Kadaresë. (Vahid Lama, Vreri i Enverit pasi lexoi “Pashallarët e kuq”: Durimi mori fund, Kadare, në burg, Panorama, 27 gusht, 2012).

E solla këtë citim të gjatë të ish-sekretarit të Enver Hoxhës për dy arsye. E para kjo është dëshmia autentike e njeriut që ka punuar me Enver Hoxhën dhe që ka marrë i pari përshtypjet e Enver Hoxhës për Kadarenë. E dyta telenovela e dhurimit apo e rrëmbimit të dorëshkrimit mund të jetë objekt për revistat gossip, por nuk i shton dhe nuk i heq asgjë faktit se midis Kadaresë dhe diktaturës nuk kishte asnjë lloj lidhjeje. Mirëpo e veja e diktatorit më mizor të Europës Lindore ka të drejtë të sillet si një star kinemaje dhe të përbaltë me cinizëm emrin e Kadaresë. Siç thoshte me të drejtë A. Ndreca në një shkrim të para disa kohëve, Nexhmije Hoxha dhe Sali Berisha po e mbajnë peng këtë vend. Dënimi i krimeve të komunizmit dhe hapja urgjentisht e dosjeve të diktaturës do të kishte sjellë sot një klimë tjetër. Arkivat personale të së vesë të ish-diktatorit më të egër të Lindjes sot do të duhej të ishin në dorë të prokurorisë, për të parë se si vepronte zembereku i diktaturës. Ish-sekretari i Enver Hoxhës deklaronte në kujtimet e tij se Enver Hoxha e kishte shpallur që Nexhmija është kasaforta ime dhe e Komitetit Qendror. Mirëpo kjo kasafortë rri ende në periferi të tranzicionit dhe gjen kurajë që të trembë, të përbaltë dhe të ndotë jetën dhe figurën e njeriut më të famshëm të kohëve të reja, gjeniut të letrave botërore e shqiptare, Ismail Kadare. Si të mos mjaftonte kjo, shtypi na njofton herë pas here për një institut që do të zbulojë krimet e komunizmit dhe një televizion tjetër na kujton herë pas here një foto të Sali Berishës në varkë, në Drilon ku ai vozit me familjen e diktatorit. Ndaj e veja e diktatorit më gjakatar të Europës Lindore dhe llumi i mediokërve që popullojnë këtë vend, kanë të drejtë të gjuajnë me gurë mbi shtatoren më të lartë të kulturës shqiptare. Është e vërtetë se ne në shpirt jemi sado kudo një popull skllav.

 			
23 Comments
  1. astrit says

    Zoti Yzeiri! E veja e diktatorit me te madh ka thene nje te verterte te padiskutueshme se Kadare eshte shkrimtar i madh me zemer te ngushte.

  2. Besiani says

    Mire i shkruan ca gjera zoti Ilir Yzeiri, por nuk i shmanget dot mllefit te brendshem per ata qe jane ne anen e kundert me te(e kam fjalen vetem per mendimin). Ka nje problem sot: disa njerez kerkojne te vene nje derrase nen vete dhe te rriten pakez, disa centimetra. Nuk e shikon sa shkrues te sotem, qe kane hapesire neper gazeta (te krahut politik te tyre) shkruajne me zellin me te madh per Kadarene. jo se i djeg malli per te, por duan ta shfaqin veten si intelektuale te medhenj dhe presin mos thote diku Kadareja per ta ndonje gjysem fjale ose t’i ftoje per nje kafe, per ti pare mileti ne krahun e shkrimtarit te madh, qe te rriten jo me centimetra, por me decimetra. Kujtoj nje rast kur merrja pjese ne nje kurs njemujor te nxitjes se talenteve te reja(kupto te indoktrinimit te talenteve te reja). Erdhi per nje bisede edhe Kadareja. Nuk e mohoj se na dridheshin kembet nga kurajoja e tij per shtepite botuese dhe per librin e xhepit, qe tek ne nuk botohej. Por kur iku, iu shpreh me perbuzjen me te madhe nje miku te tij: keta me duket sikur vijne nga orizoret. Keshtu me siguri i perbuz Kadareja ata qe duan te rriten nen hijen e tij.Askush nuk mohon se sot per sot Kadareja eshte njeriu me i madh i letrave ne Shqiperi, por mjaft prej tyre jane ne sherbim te regjimit te permbysur. Mos te kapemi pas disa vepra anesore. Dy veprat me te bujshme te tij kishin ne qender Enver Hoxhen, qe shkruesi e quan me te drejte diktatori me i madh i vendeve te Lindjes, por sipas veprave te Kadarese ai kishte shkaterruar Hrushovin, qe vuri llozin i pari ne rrezimin e diktaturave te Lindjes dhe Mao Ce Dunin, i cili i thoshte diktatorit tone se njerezit nuk jane si qepet t’u presim koken, kur i kerkonte te vriste Li Shao Çin-ë, Ten Hsio Pinin e te tjere, qe e bene sot Kinen superfuqi.. Keta shkrues duan te rritin madheshtine e tyre dhe s’e duan fare Kadarene, por duan Nexhmijen. Kete e kane treguar mediat e grate e tyre qe e kane intervistuar sa here zonjen e zeze me shume temenara e dhimbshuri. Te jemi me realiste me analizat, t’i japim Çezarit, ç’i takon Çezarit.

  3. Zapbone says

    Klase shkrim.

  4. Berti.n says

    Nuk mund te jemi te sigurt per lidhjen e Ismail Kadarese me diktaturen…ajo qe me bene shume pershtypje eshte se si ka mundesi qe ky shkrimtare i mbijetoje ketije sistemi me te gjitha te shkruarat e tije..!! Eshte me te vertete nje pyetje qe nuk i eshte dhene pergjigje na njerezit qe i dinin gjerat e kohes atehere nga brebda…por..mendimi im eshte se nje hije e forte e mbronte Kadarene..per kete jam mese i bindur sepse vete historia e atije sistemi na ka vertetuar se nese dikush fliste kunder tyre dy gjera i priste ata..burgimi i perjetshem ose vrasja….

  5. Rilind says

    Ja dhe e verteta e kesaj meseleje. Agim Mero, miku i Kadarese e nxjerr zbuluar Kadarene. Dmth ndryshe e nxjerr genjeshtar. Nexhmija nuk ka kerkuar e as ka marre ndonje doreshkrim gjate asaj vizite ku Mero ishte deshmitar. C’i mbeti Kadarese te thote tani dhe Ilirit qe do te mbroje nje genjeshtar e harbut nga goja ??? Prandaj o njerez, te jesh shkrimtar i madh nuk do te thote te jesh edhe njeri i mire.

  6. Latinisti says

    Latini nuk do të thoshte ‘O tempora, o more’, por ‘O tempora, o mores’, gjë që ndoshta do të thoshte dhe për këtë shkrim servil ndaj “gjeniut të letrave botërore”.

  7. Elio says

    “Është e vërtetë se ne në shpirt jemi sado kudo një popull skllav”, nuk jam aspak dakord. Mendoj qe ne kete shkrim ka pjeserisht te verteta, por me duket paksa i fryre dhe emocional per sa i perket Ismail Kadarese, figura e te cilit eshte hyjnizuar ne kete shkrim servil! Padyshim qe ai eshte perfaqesuesi me i denje i Shqiperise ne bote (Europe), por jo i “ndrituri”.

  8. artur says

    Ilir Yzeiri,duhet te na spjegoje ne,shqiptareve medioker,perse njeriu i “madh”,Kadare,nuk eshte prononcuar asnje here per gjemat qe ka bere krimineli Sali Berisha.E them kete sepse nje shkrimtar i talentuar,duhet te jete njekohesisht Profet per te parashikuar te ardhmen e popullit te tij dhe jo ta veje gjithshka ne menyre te neveritshme ne funksion te marrjes se Nobelit.

  9. fjala e lire says

    Nexhmijen saliu ben mekat qe s’e fut ne qeli te ngordhe atje ngaqe e meriton me c’ka bere dhe vazhdon te beje nje shtrige ne gen.
    Del qe saliu eshte ende neokomunist i maskuar.
    Ala s’ini velur me gangrenat e komunizmi me idiot ne Evrope?

  10. Niko Maloku says

    O “profesor” Yzeiri!. Ke shkruar shume dhe nuk ke thene asgje esnenciale. Ti beson se duke perseritur 11 here togfjaleshin ” diktatori me i eger” apo “diktatori me gjakatar”, i ke dhene dermen krejt familjes Hoxha dhe ke lartesuar Kadarene. Ti, me marifet ( ne te vertete me ligesi) i shmangesh gjese esnciale: dallimit midis Kadarese- shkrimtar ( edhe Nexhmije Hoxha thote se ai eshte shkrimtar i madh) dhe Kadarese-njeri.. Ne te gjithe boten dhe ne te gjitha koherat ka pasur dhe ka figura te medha te letersise, muzikes apo shkences. Keto figura duhen cmuar per ato gjera qe i japin njerezimit ne fushen e tyre. Kur vjen puna tek njeriu, zoteri profesor, ketu ” ndalu beg se ka hendek”. Vlerat e Kadarese nuk varen fare ( si shkrimtar) nga fakti se cfare raportesh kishte ai me regjimin por nga fakti se cfare vlerash letrare dhe estetike mbartin librat e tij. Shkrimi yt eshte i mjere dhe thjeshte nje lavderim i kote i Kadarese. Te thuash se shteti komunist nuk e burgosi Kadarene sepse e kishte frike, kjo tingellon qesharake fare edhe per nje mendje mesatare. Sot eshte bere e modes qe, ne perpjekje per t’u dukur i kohes, modern, demokrat, perendimor ( ju eshte kthyer Perendimi ne Perendi a derezinj- jo per shkak te moralit te tij por per shkak te pasurise dhe fuqise se tij) te mos lesh gje pa thene per ata qe, po te ishin sot ne pushtet, do iu thurnit lavde me 1000 bori. Nuk ju vjen turp qe i suleni si hiena nje plake 100 vjece qe deri dje i lepiheshit. Kjo eshte ‘ burreria” dhe morali juaj.

  11. S.Bolitivari says

    Dihej se te gjith shkrimtaret e lindjes si desident pasi u larguan nga vendet qe i rriten dhe i ngriten,u pompuan me te drejt nga Perendim,por dhe u teprua jo me kot zmadhimin mediatik te tyre.Pra u bene te famshem me teper se u takonte.Kjo eshte nje nga aresyet qe Regjimi e mbante afer terhiq e mos ja keput,se po te largohej qe ne 70ne France reputacioni i tij,prestigji i tij i rritur nga Perendimi do te kthehej ne nje bumerang per Diktaturen e ‘prroLetariatit’qe kishte derdhur gjak me shume se kudo e cudi si per krenari.
    Me duket se ja punuan tashme qe Kadare eshte plakur kerkon ate gje qe ja ka pire lengun nje here.

  12. Rilind says

    Nuk na the gje Ilir. Nuk e ul njeri Kadarene si shkrimtar, as vete Nexhmija. Por Kadareja ne ate interviste me gjithe ato ofeza e sharje, zbulon temperamentin e tij te keq si njeri. E shkrimtari dhe karakteri jane 2 gjera te ndryshme. Nuk e detyroi njeri Kadarene te shkruaje ato “lapidare te pavdekshem” per Partine e Punes e Enver Hoxhen. Pa hyre ne komente te gjata, ai nuk ishte thjesht servil i regjimit sic thone shume sot. Jo mor jo, ai e adhuronte E.Hoxhen. Prandaj shkruante per te ne ato kohera. Ne thellesine e tij, ai eshte nje E.Hoxhe i vogel, deri edhe “diktatoruc” ne raport me te tjeret qe ka poshte tij e servil e frikacak me pushtetin. Keshtu ka qene dje e keshtu eshte edhe sot. Por sot e do puna qe ai te hedhe poshte vetvehten e djeshem. Kaq e thjeshte eshte gjithe kjo mesele me Kadarene.

    Ja beri gjithe ato sulme, e quajti zuzare,genjeshtare e kriminele. Po tani qe Agim Mero e nxorri genjeshter gjithe alibine e tij per marrjen e doreshkrimit ne shtepine e tij, c’i mbeti Kadarese te thote tani? A do ti marre peshtymat pas?

  13. katarakti says

    Kur po lexonja “mbrojtjen” e Yzerit po me vinte per te vjelle me qendrimin e tij paturpesisht te hapur pro Kadare. Shume mllef dhe pak llogjike ne kete shkrim, prej dikujt qe pretendon te jete intelektual. Me erdhi mire kur vura re se edhe shumica e lexuesve te tjere kishin ndjere neveri deri ne peshtirosje nga kjo dalldi per te mbrojtur me çdo kusht Kadarene. Sikur e kercenon ndokush. Kadareja do me çdo kusht te hedhe mantelin e disidentit, kur ai ka qene pjese e regjimit dhe i ka sherbyer atij. Prandaj nuk e kuptoj fare Yzeirin kur merr ne mbrojtje shkrimtarin. Gjithe kjo zallamahi kot se koti per nje cope doreshkrimi qe u botua ne mijera kopje. Absurditet dhe mendje e semure.

  14. Edi Krasta says

    Lidhur me nje aspekt teknik: keshtu eshte kur merr një avokate te pazonjën. Aq me përvojë sa është Kadare nuk duhet të kishte dëgjuar një mendje të vogël si ajo e avokates se tij Flonja Tashko, që duke i këshilluar rrugën e gjyqit e vuri Kadarenë në mes të pazarit për ta telendisur. Edhe me çfarë gjuhe Tashko e mbron në gjykatë: ” e paditura me keqdashje e shantazhoi shkrimtarin me letrat” – a thua gjyqi ështe kopsht fëmijësh!

  15. Ganiu says

    Kurr nuk e kam pa Ilir Yzeirin ne kete nivel te ulet moral. E habitshme! Nexhmie Hoxha mund te kete pergjegjesi per shumecka, por asnje pergjegjesi nuk ka per kete debat. Eshte Ismaili ai qe ia beri te keqen vetes. Kadareja e hodhi ne gjyq per ta nxjerre vjedhese, kriminele qe e kishte tmerruar ne ate kohe. Patjeter qe ajo do tregonte se nuk ka qene e tille ne marredhenie me Ismailin, se ai nuk eshte persekutuar etj. Po A.Meron e lexove, mor i mjeri servil?
    Si nuk te vjen turp ty Ilir kur kerkon ta paraqesesh Kadaren te rrezikuar, por s’ke kuptuar se kush e mbrojti? Por letersia dhe arti stimuloheshin nga shteti i asaj kohe, mor i ziu ti qe ke rene ne mjerim, me keq se Bejko rrangalli!
    Lere Ismailin te mbrohet vete. Pse heshti dhjaksi, pse nuk e dha intervisten kur mori pyetjet?
    Je be i pabesueshem me kete shkrim. Te kam dhene te drejte ne shume shkrime kritike perfshi edhe ato per letersine, per nivelin letrare te Ismailit etj. Por ku i ke vlerat morale per te qene i drejte me te verteten?
    Jo, ti ke peshtyr veten me kete shkrim, bashe si Ismaili me padine.

  16. PERMETI says

    CFARE MEKATI PERMBAN KOMENTI IM QE E CENSURONI

  17. altin says

    Ne shqiptaret kemi nje te keqe te madhe, gjithmone ne pararoje per te share, akuzuar tjetrin, komshiun, te parin e klases, rebelet e mehalles, vajzat e veshura me minifund, ato te palyerat, grekun, serbin, italianin, etj etj etj.
    Shume thonte qe ka te drejte nexhmija, dhe se kadareja ka qene i lidhur me diktaturen.
    Aha! Po flasim keta hipokritet. Keta qe pranojne te qeverisen nga nje pjelle e diktatures.
    Ikni ore se late nam. Keni goje dhe shani njeriun e ndritur te letrave qe qendron 10000000 shkalle me lart se ju

  18. mentari says

    mendoj qe diktatori nuk donte te dinte qe kadarea eshte talent
    perzihet te qenit nga gjirokastra dhe ajo qe kadarea eshte nga te vetmit shkrimtare qe ngriti kultin e udheheqesit ne letersi si personazh romani
    madje e mbrojti kur te tjeret e sulmuan
    prandaj kadarea nuk pesoi fatin e kasem trebeshines

  19. viktor says

    Si ka mundesi te kete njerz qe mbroin shtrigen e zeze qe ka poshteruar nje komb te tere per 50 vjet dhe keto20 ka len djalin e zemres te vazhdoi rrugen e sai deri sa ta shese kumplet kete komb nese sdo zgjohemi shpeit.Hedhim poshte Kadaren ate qe ka ngritur e nderuar emrin e Shqiperis ne bote .nese jemi aq popull naiv sa duket sdo e kemi rrugen e lehte te ikim nga diktatura e shtriges se zez dhe serbiberishes.Kadaren e vlerson bota nev qfar beim si aido kaloin shum dekada te dale tjeter

  20. flora57 says

    Z.Ilir do beje mire te komentoje fatkeqesine qe ky shkrimtari yt i ndritur i solli nje djali fatkeq qe e mbylli ne cmendine vetem pse ai dashuroi te bijen e tij. Besoj se e ke pare intervisten e nenes se tij. JU zgjodhet rrugen e heshtjes edhe pse ky njeri ne fakt shkrimtar i madh me zemer shume te lige ka shume mekate gjate rrugetimit te tij 50 vjecar ne sistemin qe ai e lartesoi edhe ne veprat e tij. Sot nuk eshte ndonje merite e madhe te dalesh ne mbrojtje te tij , pasi ne fakt ai ska nevoje per mbrojtjen e askujt . (te jeni te sigurte qe ai do ta fitoje gjygjin)por sot nuk eshte se po ben ndonje trimeri se po shkruan kunder Nexhmije Hoxhes 92 vjecare . Te lumte Yzeir e ke demtu rende sistemin totalitar pas 22 vjetesh te renjes se tij.
    Ne gjithe kete debat me thane te drejten kushdo mund te beje pyetjen a doli me i humbur apo me i fituar ismail Kadare ?

  21. Stefan says

    Ilir, shkrimet e tua ne masen me te madhe jane orgjinale dhe te papajtueshme me mediokritetin dhe une personalisht i lexoj me endje ato. Por per shkrimin e sotem me lejo te shpreh rezervat e mia.
    Nexhmia ishte krejt e harruar afer pularise ne Laprake sic thua dhe ti. Kush e solli ate ne qender te vemendjes? Ishte vete Kadaraje me gjyqin qe hapi ndaj saj, nje gjyq babal per nga subjekti. Ishte vete Kadare qe i dha asaj rastin me te lumtur te viteve te saj te fundit per tu shprehur publikisht. Sipas teje, meqe Kadareja na qenka nje figure e madhe, gazetat nuk duhet te perfillin opinioni e asaj qe Kadare ka hedhe ne gjyq? Aq me teper qe ky opinion bazohet ne letra dokumentare. Nuk mund te
    fajesohet nje pasqyre kur ajo na i nxjerr portretin te shemtuar. Sipas teje meqe Nexhmija paska qene gruaja e nje diktatori, e drejta nuk mund te qendroje ne anen e saj edhe per nje ceshtje civile? Mendoj se ketu gabon.
    Eshte vertete qe Kadare ka kaluar plot peripeci ne periudhen moniste dhe ato qe shkruan per “Pashallaret” dhe situaten e veshtire ku u ndodh Kadare sigurisht qendrojne, por po kaq e vertete eshte qe ai e ka shfrytezuar njohjen me figura si puna e Nexhmies per te permiresuar konditat e tij. Mendoj se eshte absolutisht e pamundur qe ne vektorin total te sjelljes se Kadarese te izolosh dhe fshish nga kujtesa komponeten e maredhenive me sistemin socialist si pjese e tij apo komoneten idealizuese te atij sistemi dhe partie me “rrenjet sa te nje rrapi madheshtor ne kete vend te lashte”.
    Le ta pranojme Kadaren ashtu sich eshte, nje shkrimtar i madh por me gjyqin qe beri mendoj se u nis per lesh e doli i qethur. Kurse Nexhmia doli si nje person qe vlereson Kadarene si shkrimtar, madje e ruajti doreshkrimin e “Dimrit ” e dhurur prej Kadarese (qe une e besoj se eshte keshtu pamvaresisht nga vendimi i gjykates), dhe per me teper ne intervistat e saj ne shohim nje plake me mjaft kulture (le te mos verbohemi nga funksionet e saj ne periudhen e diktatures-ajo tani eshte thjesht nje personazh ish-historik), qe nuk perdor te pakten shprehje prej rrugacesh si puna e Kadarese.

  22. D ARDHARI says

    Shume debate ka pe kadarene ai eshte i vetmi qe ne duhet te krenohemi qe e kemi dhe nuk eshte ne nderin e askujt qe mundohet me cdo menyre te thote dicka per te deri sa te vene shenjen e barazimit mes shtriges se zeze dhe kadarese por kjo eshte e pa drejte ashtu si nuk eshte e drejte te thuhet qe hozha apo nexhi kishte frike (simbas vebiu)ta arestonte kadarene se do rezonte pushtetin e po keto jane peralla qe vetem populli yne i beson cante bythen hozha per kadare dhe per elena mos ju futni ketyre probleme se tregoni se sa te mjere jeni juve dhe sa idjota jemi ne (populli). Kadareja eshte shkrimtar i madh i heqim kapelen se mburemi me te per te tjerat mos u mundoni te fantazoni thuni me mire qe fati i tij dhe mbylleni. Per sa i perket nexhit qe thoni tani ka dale dhe flet prape jeni gabim ajo ka folur gjithmone dhe do flase sa te kemi ne krye nxenesit e saj saliun fatosin gramozin gjinushin gjonin e te tjere qe neve i mbajme si pashallare.

  23. Tirana says

    Flitet s e zoti Kadare ka urdheruar vrasjen e Bilal Xhaferit ne vitin 1986 ne Çikago ne Amerike

Comments are closed.