Diplomacia, nga Alfabeti Mors te “Facebook”-u

Ambasador Arben Cici*

Duke shfletuar disa nga shënimet e mia diplomatike u ndesha rastësisht me deklaratën e zv/ministrit të Jashtëm të Kanadasë, Gordon Smith, në vitin 1997, kur shpallte ardhjen e diplomacisë virtuale dhe dinamikën e ndryshimit diplomatik me këto terma: “Dikur, për të hapur një ambasadë të re duheshin javë, madje muaj. Sot, merr një biletë avioni, një laptop dhe një celular, dhe mbase një pasaportë diplomatike…” dhe ndodhesh në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër në vendin e duhur për të kryer veprimin e duhur, shtoj unë.

Është i pamohueshëm ky fakt, e sidomos sot, 15 vjet mbas vitit ‘97 ose në fillimet e mbas dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të 21. Teknologjia dhe shpikjet e njëpasnjëshme e të ditëpërditshme informatike e kanë mbështjellë botën mbarë në vrapin e pandalur të kapjes, të përpunimit, të publikimit dhe të shfrytëzimit të informacionit.

Edhe diplomacia, makineria më e rëndë dhe më tradicionale e shtetit, është bërë pjesë e kësaj gare, duke gjetur korsinë e saj, për të ndjekur ritmin e kohës dhe për ta sfiduar atë. Sa dhe si sfidohet apo sfidon diplomacia sot në shpejtësinë marramendëse të revolucionit teknologjik duket dhe dallon nga shteti në shtet ose nga situata në situatë, por edhe nga viti në vit. Për mirë apo për keq, diplomacia përgjithësisht tani është gjithnjë e më e hapur dhe relativisht në një shpejtësi të rrezikshme. Bota ka ndryshuar dhe diplomatët duhet të përshtaten dhe të dalin mbi ujë ose të lulëzojnë në rrethanat e reja të moshës së informatikës.

Megjithatë, procesi i përshtatshmërisë ose i ndryshimit të natyrës së diplomacisë, nëse mund ta quajmë të tillë, ka shtratin e vet të lëvizjes dhe historinë e saj.

Për të ilustruar këtë fakt, mjafton të kthejmë kujtesën tonë në shekullin e 19 të revolucionit në teknologjinë diplomatike, atë të telegrafit. Një vit mbas mbarimit të luftës civile në SHBA, më 1866-n u instalua kabllo i parë transatlantik lidhës me kontinentin e vjetër, duke vendosur metoda të reja në fushën e komunikimit diplomatik. Letrat ngjyrëverdhë, të vulosura dhe të dyllosura, shkruar kujdesshëm nga stili dhe bukur nga kaligrafia, firmosur me një ceremoni të brendshme dhe me një ndjenjë lehtësuese e kënaqësie bojëtharje, të cilat udhëtonin me të njëjtin ritëm sa edhe rëndësia e mesazhit që përmbanin, u zëvendësuan sa hap e mbyll sytë me disa germa tinguj që në stacionin e tyre të mbërritjes telegrafike merrnin formë dhe bojë të njëjtë, pavarësisht se pikënisjet e tyre gjeografike ndryshonin si nata me ditën.

Kjo teknologji e re i dha vrull dhe dinamizëm diplomacisë, sepse përqendroi politikën e jashtme duke reduktuar pavarësinë e diplomatëve dhe duke ulur ndjeshëm koston kohë të komunikimit.

Në fillimet e veta edhe ky komunikim kërkonte shumë shpenzime, sidomos kur bëhet fjalë për mesazhe të kriptuara ose të shifrës (siç përdorej edhe në Shqipëri). Për këtë arsye, ky komunikim u këshillua të përdorej sidomos për mesazhe urgjente dhe sa më të shkurtra, gjë që shumë diplomatë e morën për zemër. Në vitin 1881, ministri amerikan në Rusi, John W. Foster, mund të ketë fituar medaljen për dërgimin e telegramit më të shkurtër diplomatik të dërguar ndonjëherë. Për të njoftuar lajmin e vdekjes së Carit Aleksandër II, ai thjesht shkruan “Emperor Dead”.

Ky sistem i ri komunikimi lehtësoi ndjeshëm dhe ndikoi pozitivisht komunikimin diplomatik në mjaft aspekte. Megjithatë, inercia për komunikim të shpejtë, sidomos në diplomaci, ka edhe dobësitë e saj, të tilla si zvogëlimin e kohëreflektimit për vendimmarrje, rritjen e presionit (kryeqytet drejt misionit diplomatik dhe anasjelltas) për përgjigjet e menjëhershme, shtimin e ngarkesës së punës për kodim, deshifrimin dhe trajtimin e veçantë të telegrameve.

Të gjithë ata që kanë qenë sadopak pjesë e diplomacisë kanë përjetuar kohën e ngarkesës së përfaqësisë me personelin e specializuar për komunikimin (radisti dhe shifranti), me infrastrukturën shoqëruese (zyra e teleksit dhe zyra e shifrës pa dritare, me veshjen e saj speciale), me zgjidhjen e çështjeve se ku duhet të ndodhen, sa larg dhe sa afër njëra-tjetrës dhe zyrave të tjera të përfaqësisë apo ku do të vendoset antena e komunikimit etj. Jo vetëm për Shqipërinë e vogël dhe të varfër, por edhe për shtetet më të mëdha, ky ishte një shpenzim i lartë por i domosdoshëm për kohën. Për çdo njeri tjetër sot, brenda ose jashtë shërbimit diplomatik, këto janë pjesë e historive ose e filmave bardhë e zi të një kohe “na ishte një herë e një kohë”.

Historiani i Departamentit të Shtetit, David Nikles, ka përshkruar mjeshtërisht në veprën e tij “Si e ndryshoi telegrafi diplomacinë” (origj.: How the Telegraph Changed Diplomacy) fakte dhe ngjarje të këtij raporti sa interesant aq edhe kompleks në ngjizjen e tij. Telegrafi, megjithatë ndryshoi tërësisht botën diplomatike, e shkundi nga ritmi i saj shekullor, i dha mjetin, jo armën, për të kapur mundësitë dhe përdorur ato, e pajisi me mënyrën si të përballonte me sukses sfidat e kohës.

Diplomacia sot po jeton epokën e revolucionit teknologjik, të kësaj epoke që sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e quan “21st Century Statecraft” (për shqipërim kërkoj ndihmën e përkthyesve të talentuar të gjuhës dhe qytetërimit anglez). Në përdorim të diplomacisë janë interneti, wireless, email, “Google”, “YouTube”, “Facebook”-u, “Twitter”-i, “LinkedIn”, “Blackberry”, “iPad”, së shpejti “iPhone” 5, të cilat në të qindtën e sekondës e dërgojnë informacionin në ekstremin më të largët të botës për të bërtitur fitore, për të kërkuar ndihmë, për të dëshmuar njëkohësisht gëzimin, hidhërimin, lindjen dhe vdekjen, por sidomos për të parandaluar fatkeqësitë natyrore dhe të keqen njerëzore.

A ka mundur diplomacia deri më tani të përshtatë infrastrukturën, burimet njerëzore, interesat, arsyen, përvojën, historinë dhe krenarinë e saj ndaj epokës së komunikimit-rrufe, të internetit për të gjithë, të shoqërisë civile dhe të shpikjeve çdoditëshe?

Nuk ka kohë për të menduar. Mjetet e reja në përdorim i ofrojnë diplomacisë menjëhershmërinë për të vepruar, transparencën për të informuar, globalizimin për t’u integruar, profilaksinë për të vepruar në kohë, shkathtësinë për të reaguar, besueshmërinë për partneritet, vendosmërinë për vendimmarrje dhe risinë për të përballuar sfidat dhe ndihmuar botën për të jetuar më mirë. Të gjitha këto koncepte të reja, metoda bashkëkohore të të menduarit dhe vepruarit, hapësira demokratike lirisht të shfrytëzueshme, jo vetëm që i kanë dhënë diplomacisë një dimension të ri, por kanë korrur frutet e dukshme të suksesit të saj në terren.

E paimagjinueshme vite më parë, kur për negocimin e marrëveshjeve diplomatike duheshin takime e takime pambarim, herë andej e herë këtej, delegacione të gjata e diskutime pa fund nën tymosjen e purove kubane (dikur krenoheshin me markën e puros, sot me markën e kravatës) dhe ajrin e rëndë nga dritaret e mbyllura, për shkak të të ftohtit dimëror apo vapës verore, me dosjet e fletëve nën sqetull, të mbushura me shënimet për t’i rishtypur sërish e sërish, e paimagjinueshme dikur që sot një marrëveshje mund të negociohet pa shpenzuar as fijen më të vogël të letrës (e rëndësishme sot në epokën e ruajtjes së mjedisit), duke shkëmbyer qindra variante në qindra drejtime, duke korrigjuar pa pasur nevojë ta rishkruash nga fillimi deri në përputhjen përfundimtare të teksteve në pritje për t’u firmosur.

E paimagjinueshme dikur ajo që Shtetet e Bashkuara, si udhëheqës global në promovimin e lirisë së shprehjes në epokën e internetit po realizojnë nëpërmjet diplomacisë virtuale. Në mbështetje të vizionit të sekretares amerikane të Shtetit Klinton, Departamenti i Shtetit hapi, dhjetorin e kaluar, një “Ambasadë virtuale” në Teheran (http://iran.usembassy.gov/). Kur ajo njoftoi nisjen e kësaj ambasade virtuale, të parën në llojin e vet, bëri të qartë se qëllimi ishte për të komunikuar direkt me popullin e Iranit dhe për të mbështetur një angazhim më të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm mes dy popujve. Ambasada virtuale është një qendër në persisht dhe anglisht, për informim, jo vetëm për politikën amerikane ndaj Iranit, por edhe një vend për të njohur kulturën dhe shoqërinë, për të gjetur informacion për vizat deri edhe për të mësuar rreth mundësive për të studiuar në Shtetet e Bashkuara.

E paimagjinueshme në fundshekullin e kaluar që forca virtuale, e përdorur nga diplomacia, vetëm njëzet vjet më vonë, do të mund t’u mbushte mushkëritë popujve të shtypur arabë me ajrin e pastër të lirisë, do të mund t’u rikthente atyre shpresën e humbur në vite për të jetuar të lirë, do të mund t’i bashkonte ata në rrëzimin pa kushte të diktatorëve jetëgjatë, për të rikthyer në vendet e tyre flladin e freskët të pranverës së humbur arabe.

Me gjithë këto përparësi që epoka e internetit ofron për diplomacinë, nuk duhet harruar asnjëherë që ajo në vetvete, ashtu si edhe shteti, ndeshen me anën tjetër të medaljes, atë të rrezikut të zbulimit të sekretit diplomatik-shtetëror ose të cenimit të sigurisë kombëtare dhe më keq akoma të komprometimit të sistemit të sigurisë së anëtarësisë së aleancës, ai në rastin e NATO-s.

Çdo shtet, cilido qoftë ai, në çdo kohë, si pjesë të pacenueshme dhe të paprekshme të sovranitetit të tij, krijon dhe ruan sekretet e tij, diplomatike, ushtarake apo të sigurisë dhe sekretet që burojnë nga marrëveshje dhe angazhime të ndryshme dypalëshe apo shumëpalëshe.

Është e vërtetë që sot nuk është e nevojshme në misionet diplomatike për hapësirën e kushtueshme të dhomës së zezë të shifrës, por është i domosdoshëm përdorimi pa shpenzime i laptopit të kriptuar sipas kritereve rigoroze të përcaktuara të sigurisë.

Nuk është më e nevojshme të ketë radistë dhe shifrantë në misione diplomatike, por domosdoshmërish çdo diplomat duhet të ndërgjegjësohet që diplomacia, me gjithë aspektin e saj aktual të transparencës, nuk mund të sillet me informacionin si një gazetë apo agjenci online që vrapon për të pasur monopolin e botimit “scoop”. Faqja zyrtare, “Twitter”-i dhe “Facebook”-u i Ministrisë së Jashtme dhe misionit diplomatik (nëse ka, por do të ishte e pabesueshme të mos kishte), me informacionet që përditësohen informon të informueshmen për publikun, duke krijuar dritaren e domosdoshme të komunikimit të ndërsjellë, të hapur dhe shkurtues të distancave gjeografike.

Pavarësisht mjeteve dhe metodave bashkëkohore që diplomacia ka filluar të përdorë (në MPJ të Danimarkës email-i i dërguar konsiderohet dokument zyrtar), ajo duhet të vendosë standarde të reja të sigurisë në atë pikë që pavarësisht dëshirës apo nevojës për të komunikuar shpejt dhe shkurt një informacion ai duhet të jetë i sigurt në nisje, gjatë rrugës, në mbërritje dhe në ruajtje.

Publikimet e paautorizuara të telegrameve të Departamentit të Shtetit nga “Wikileaks” nuk krijuan vetëm shqetësim në nivelet e larta të administratës amerikane, por ranë si kambanë alarmi për forcimin dhe rritjen e masave të sigurisë së informacionit virtual dhe informatik jo vetëm për SHBA-në, por për të gjitha vendet e botës, diplomacia e të cilave nuk mund të jetë imune ndaj anës tjetër të medaljes së përparësive që ofron sot epoka e internetit, atë të rrezikut që vjen prej saj.

Në përfundim, përparësitë dhe sfidat që ofron epoka dixhitale dhe komunikimi virtual për diplomacinë, nuk i ndryshojnë thelbin në raport me misionin e saj e sidomos në qasjen ndaj informacionit dhe analizës së përgjegjshme dhe të thellë të fenomeneve, përkundrazi i shumëfishojnë asaj mjetet, metodat, burimet, kontaktet për të realizuar, cilësisht dhe në vazhdimësi qëllimet e saj dhe interesat afatgjatë.

 

*Ambasador i Shqipërisë në Kopenhagë

 

Comments are closed.